​Finalizon në Tiranë faza përmbyllëse e projektit trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21” | CDI
Home » ​Finalizon në Tiranë faza përmbyllëse e projektit trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21”

06.06.2018

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) së bashku me Centre international de formation européenne (CIFE), Association  Bourgogne Balkans Express dhe Environnement Sciences Po Dijon, me mbështetjen e Zyrës Franko-Gjermane për Rininë (OFAJ / DFJW), organizuan në Tiranë, fazën përfundimtare të projektit trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21”, nga data 27 maj deri më 2 qershor 2018. Dy fazat e para u mbajtën në Berlin (2017) dhe Dizhon (2018).


Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit patën mundësi të takohen me përfaqësues shqiptarë të OJQ-ve, OSHC-ve, autoritete zyrtare, anëtarë të parlamentit etj. Dr. Lorenc Gordani nga Universiteti Metropol i Tiranës ofroi një pasqyrë të përgjithshme të efiçiencës së energjisë në Shqipëri, kontributin e saj në liberalizimin e tregut dhe përpjekjet e një zhvillimi të qëndrueshëm në të ardhmen. Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës, ngritjen e problematikave mjedisore dhe ruajtjen e biodiversitetit në zonat e ndjeshme të vendit, siç është lumi Vjosa, ndërsa Margarita Buxhaku, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Qeverisjen Mjedisore , theksoi shkaqet e ndotjes së mjedisit në Shqipëri dhe si mund të rritet ndërgjegjësimi i publikut. Kreshnik Loka, Përfaqësues Lokal i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) shpjegoi rëndësinë e shkëmbimeve rinore dhe kontributin e tyre në zhvillimin dhe promovimin e mirëkuptimit ndërkulturor, që konsiston në parimet e RYCO-s, pasi shkëmbimet rinore mund të konsiderohen si një nga mjetet më të mira për pajtim. Dafina Peci, Drejtoreshë Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar të Shqipërisë, u përqendrua në rolin e të rinjve si një potencial i jashtëzakonshëm për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe ngritjes së kapaciteteve. Mona Xhexhaj, Drejtuese Programi, diskutoi pikat thelbësore të procesit të integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, vështirësitë e mundshme, progresin dhe sfidat aktuale. Frank Morawietz, Këshilltar Special i Zyrës Franko-Gjermane për Rininë (OFAJ / DFJW), preku temën e identitetit kulturor, hendekun dhe distancën e kulturave, të cilat janë njëkohësisht të ndryshme dhe unike. Pjesëmarrësit patën mundësi të vizitojnë  ambjentet e Autoritetit Portual të Durrësit, ku Arben Xhemali, Shef i Promocioneve dhe Blerina Hasani, Drejtoreshë e Mjedisit, Sigurisë Teknike, Mbrojtjes Shëndetësore dhe Departamentit të Emergjencave, dhanë një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi pozitën gjeografike, resurset ekononmike dhe menaxhimin e Portit të Durrësit, si dhe politikën e tij mjedisore. Në Parlamentin e Shqipërisë, 24 pjesëmarrësit zhvilluan një bisedë të hapur me deputetin Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, i cili solli vëmendjen në çështjet mjedisore dhe energjetike të Shqipërisë dhe harmonizimin e legjislacionit.

Pjesëmarrësit hartuan një raport përfundimtar të bazuar në tri grupe pune të formuara gjatë fazave të  mëparshme në Berlin dhe Dizhon, lidhur me energjinë, mjedisin dhe dimensionin evropian. Më 1 qershor 2018 ata paraqitën gjetjet e tyre në konferencën “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21”. Prezantimi u përqendrua në studimet e rasteve që mbulonin respektivisht Gjermaninë, Francën dhe Shqipërinë përsa i përket konsumit dhe prodhimit të energjisë, menaxhimit te mbetjeve dhe legjislacionit përkatës të BE-së dhe Shqipërisë lidhur me këto çështje. Konferenca përfundimtare u përshëndet nga SHS Christina Vasak, Ambasadore e Republikës së Francës në Shqipëri, Znj. Ornela Çuçi, Zv.ministre e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Znj. Anke Holstein, Zv.ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri dhe Ardian Hackaj, Drejtor për Hulumtimin, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Një përmbledhje e veçantë mbi ecurinë e këtij projekti trilateral u realizua nga Thomas Traguth, Centre international de formation européenne (CIFE)) dhe Nisa Sherifi, Association  Bourgogne Balkans Express.

Programi i fazës përfundimtare të projektit trilateral mund të konsultohet këtu.

Axhenda e konferencës mund të lexohet këtu, ndërsa për raportin e përbashkët të grupeve të punës mund të klikoni këtu.

Për të parë albumin e fotove, klikoni këtu, ndërsa videon mund ta shikoni këtu.