Ballkani Perëndimor dhe BE katër vite pas nisjes së Procesit të Berlinit: perspektiva në horizont, anëtarësim i afërt?” | CDI

23 Prill 2018

Drejtori i Kërkimit Shkencor në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Z. Ardian Hackaj, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët “Ballkani Perëndimor dhe BE në katër vite pas nisjes së Procesit të Berlinit: perspektiva në horizont, anëtarësim i afërt?” më 19 Prill në Berlin. Ky aktivitet synonte të analizonte dhe të debatonte mbi mundësitë e ofruara nga Procesi i Berlinit, pritshmëritë nga Samiti i Londrës në korrik 2018, si edhe përfundimet e nxjera nga Strategjia e Zgjerimit 2018 dhe Progres Raportet e Komisionit. Në tryezën e rrumbullakët u diskutua kontributi i Procesit të Berlinit në mbajtjen e ‘momentum-it’ për zgjerimin e BE-së, si edhe vlerën e tij në vendosjen në qendër të vëmendjes së Axhendës së Konektivitetit, ashtu siç paraqitet edhe në studimin më të fundit të CDI – Procesi i Berlinit 2014-2018.

Procesi i Berlinit ka zgjuar Axhendën e Konektivitetit. Ky process është gjithashtu një nxitës i bashkëpunimit rajonal. Ndërkohë që për vitet e ardhshme, Zona e Përbashkët Ekonomike (ZPE), është një sipërmarrje mjaft e madhe për WB6. Sipas këtij këndvështrimi, asnjë aktor tjetër në Ballkan nuk ofron diçka të krahasueshme me atë që BE po ofron.

Qasja e drejtpërdrejtë e Komisionit – hapjen e negociatave në bazë të zbatimit të reformave të rekomanduara – ka prodhuar rezultatet e para pozitive. Shqipëria ka treguar “një progres të përgjithshëm” dhe/ose “një nivel përgatitjeje në kriterin e shtetit të së drejtës”, ndërkohë që ka një “përgatitje të moderuar” për dy kriteret e tjera. Maqedonia nga ana tjetër ka ndërmarrë hapa konkretë për të zbatuar rekomandimet e Raportit Priebe.

Ndër konkluzionet kryesore të tavolinës së rrumbullakët mbi demokracinë dhe përfshirjen e qytetarëve, ne do të donim të veçonim nevojën për sjelljen e demokracisë sa më afër qytetarit. Demokracia ka nevojë të ushtrohet, të monitorohet në çdo nicel dhe në çdo ditë, jo vetëm gjatë zgjedhjeve. Donatorët e huaj kanë folur për një kohë të gjatë vetëm me elitat. Tashmë iniciativat nga shoqeria dhe nga lëvizjet e qytetarëve po rriten të pavarura nga donatorët e huaj.

Për sa i përket ndihmës financiare të BE-së për WB6, u sugjerua që ajo të jetë me fokus mbi qeverisjen, të jetë më e ndërlidhur, si edhe më e orientuar drejt impaktit qe kjo ndihmë ka (shoqëruar me mekanizma monitorimi për impaktin). Ndihma duhet të fokusohet në konektivitet dhe insfrastrukturën sociale si (edukimi bazë, shëndetsia parësore, shërbime sociale) dhe më pak në asistencë teknike.

Ky aktivitet u zhvillua nën rregullat e Chatham House, pranë Ambasadës Austriake në Berlin, dhe u organizua nga: Austro-French Centre for Rapprochement in Europe, Centre international de formation européenne (CIFE) dhe German Institute for International and Security Affairs (SWP).