Çel punimet Edicioni i katërt i Tirana Connectivity Forum | CDI
Home » Çel punimet Edicioni i katërt i Tirana Connectivity Forum

12 nëntor 2018

Këtë vit eventi vjetor i ‘Serive të Procesit të Berlinit’ erdhi në një format dhe emër të ri. Ai organizohet si çdo vit nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim – CDI dhe mbështetet nga Fondacioni Konrad Adenauer – KAS, Fondacioni Friedrich Ebert – FES, dhe Fondacioni Hans Siedel – HSS. TCF 2018 ishte pjesë e kalendarit zyrtar të aktiviteteve të Presidencës Austriake të Këshillit Evropian, dhe u organizua në partnership me Ambasadën Austriake, si edhe Ambasadën Gjermane në Tiranë si pjesë e Tetorit Gjerman.

Forumi i Ndërlidhjes në Tiranë (TCF) u mbajt më 8-9 nëntor dhe krijoi hapësirën për një analizë të thellë të Procesit të Berlinit, Reformave në BE dhe zgjerimit të BE-së, duke u fokusuar në përfitimet, praktikat më të mira dhe sfidat e projekteve të ndërlidhjes në Ballkanin Perëndimor 6.

Forumi u hap më fjalën mirëseardhëse të Z. Walter Glos – Drejtor i Zyrës i Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, i cili theksoi se ‘projektet e ndërlidhjes shërbejnë si një bazë për rritje dhe lëvizshmëri të njerëzve’, Dr. Klaus Fiesinger, Drejtor i Zyrës Rajonale të Evropës Juglindore të Fondacionit Hanns Seidel, i cili tha se ‘ndërlidhja e të rinjve në Ballkanin Perëndimor është një mekanizëm strategjik për paqje dhe zhvillim në rajone jo-stabël dhe se ajo është një tregues i mirë i bashkëpunimit rajonal’. Prof. Dr. Wulf Lapins, Drejtor i Zyrës së Fondacionit Friedrich Ebert në Shqipëri prezantoi situatën gjeopolitike në rajon dhe Evropë në sektorin e energjisë, duke theksuar rëndësinë e rajonit te Ballkanit. 

Z. Ardian Hackaj, Drejtor i Hulumtimit pranë Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim mbajti fjalën hapëse në Forum me temë ‘Katër Vite nga Procesi i Berlinit dhe Rëndësia e të Qënit të mirë-lidhur’. Z. Hackaj tha se Procesi i Berlinit e ka kthyer vëmendjen e politik-bërësve dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në nevojën për investime në lidhjet e transportit dhe energjisë në rajon, si edhe në kontributin e këtyre lidhjeve në një rritje më të lartë ekonomike. Ai theksoi se një ndërlidhje më e mirë kontribuon në rritjen ekonomike, në më shumë vende pune, në më shumë konkurencë në nivel global dhe tregti, si dhe në lëvizshmërinë e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë vektorët e ndërlidhshmërisë përcjellin njohuri, vlera, norma dhe standarte në qeverisje e procedura. Një ndërlidhje më e mirë mes BE-së dhe BP6 në infrastrukturë, mes njerëzve dhe institucioneve, shumëfishon fuqinë transformuese të Bashkimit Evropian, përfundoi Z. Hackaj.

I Ftuar Nderi, Deputeti i Parlamentit Evropian, Z. Knut Fleckenstein iu drejtua Forumit me një fjalë të veçantë. ‘Ne jemi tashmë të ndërlidhur dhe duhet të bëjmë më shumë për të realizuar potencialin e kësaj ndërlidhjeje’, theksoi ai. ‘Të heqësh barrierat në ndërlidhje kërkon lidership politik dhe kurajë. Ne duhet të kemi një vendosmëri të përbashkët, së pari nga liderët e rajonit, por edhe nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare’. Deputeti Fleckenstein nënvizoi se ndërlidhja shërben në rritjen e shkëmbimit mes njerëzve, sidimos të të rinjve’. Ai vazhdoi më tej duke theksuar se ‘kjo është e domosdoshme për të garantuar nevojën për pajtim dhe baza të forta për marrëdhënie të mira fqinjësore’. Z. Fleckenstein e mbylli fjalën e tij duke pohuar se ai nuk shikon asnjë alternativë tjetër për vendet e Ballkanit Perëndimor, veçse anëtarësimit të tyre në BE.