“Rinia: Lidhja me vendlindjen” | CDI
Home » “Rinia: Lidhja me vendlindjen”

15 Nëntor 2018

Ky panel u fokusua tek efektet anësore që ndërlidhja dhe integrimi shkaktojnë dhe si tematikë kryesore u trajtua çështja e emigrimit të të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Panelistët ishin të një mendimi se ky fenomen po dëmton procesin e zhvillimit në rajon dhe nivelin e zhvillimit social dhe ekonomik.

Z. Etjen Xhafaj, Zëvendës Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri u shpreh se ‘emigracioni është kthyer në një problematikë të rëndësishme, pasi qeveritë po përballen me një sfidë për mbajtjen e të rinjve brenda vendit, përkundrejt konkurrencës jashtë, pasi ka një brez “baby boomers” në vendet perëndimore që po plaket shpejt dhe hapësira që ata po lënë në tregun e punës dhe jo vetëm është kthyer në një magnet për të rinjtë tanë’. Ai shtoi se në Shqipëri është krijuar një Ministri për Diasporën e cila ofron mundësi për të rinjtë e vendit tonë që jetojnë jashtë vendit. Ai gjithashtu theksoi se ‘nuk duhet të harrojmë se Kryeministri, Kryetari i Opozitës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, unë dhe shumë politikanë të tjerë, kaluan shumë vite jashtë vendit, por të gjithë u kthyem dhe po kontribuojmë për vendin tonë dhe si ne po bëjnë të njëjtën gjë dhe mijëra të rinj shqiptarë.’

Znj. Kejdi Mehmetaj, deputete e Parlamentit Shqiptar, shprehu shqetësimin e saj për çështjen e emigracionit duke thënë se rinia po largohet nga Ballkani Perëndimor, madje edhe nëse nuk po largohet, ata po planifikojnë të largohen në vitet e ardhshme dhe ky fakt mbështetet nga shumë e studime. Ajo deklaroi se ‘ata po largohen për vende pune dhe edukim më të mirë, dhe arsyeja për këtë largim është mungesa e shpresës. Kjo do të thotë se ata nuk duan të kthehen më në Shqipëri, pasi ata nuk kanë më besim tek politikëbërësit. Diçka po shkon keq në sistemin politik shqiptar dhe ne duhet ta rregullojmë atë, dhe mënyra më e mirë për ta rregulluar është që të përfshihen të rinjtë në këtë proces. Nëse ne duam të forcojmë demokracinë tonë dhe të sigurohemi që nga politikat tona do të përfitojnë qytetarët dhe më specifikisht të rinjtë, sigurisht që qytetarët dhe të rinjtë duhet të përfshihen’.

Z. Peter GRK, Koordinator Kombëtar për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Slloveni, deklaroi se ‘retorika pozitive i politikanëve është e rëndësishme, por fjalët duhet të bazohen në fakte. Nëse nuk ka fakte për të mbështetur fjalët, atëherë askush nuk do t’i besojë ato, mbi të gjitha në këto kohë të digjitalizimit ku e vërteta mund të zbulohet shumë shpejt dhe njerëzit nuk mund të më mashtrohen për një kohë të gjatë, veçanërisht të rinjtë.’ Pyetjes se çfarë po bën BE-ja për të mbështetur të rinjtë në rajon, ai u përgjigj se ‘BE mund të krijojë një kornizë kuadër për Ballkanin Perëndimor, por nëse jeni duke pritur nga Bashkimi Europian të bëjë gjithçka për rajonin, atëherë e keni gabim. Sllovenia po nxit idenë që të mos krijojmë vetëm korniza, por të jemi mbështetës aktivë për të rinjtë me projekte të mobilitetit dhe digjitalizimit. Mirëpo në fund të ditës nuk mund të trajtojmë çështjet e të rinjve në vakum, pasi rinia është pjesë e një historie shumë më të madhe ku përfshihen reformat në fushat ekonomike, ligjore apo arsimore, pra ajo është pjesë e një sistemi gjithëpërfshirës’.

Z. Mak Selimovic, Presidenti i Bosnia and Herzegovina Association for United Nations, partner i Western Balkans Youth Cooperation Platform, theksoi që ‘ne si të rinj kemi nevojë të gjithë së bashku të trajtojmë disa nga çështjet më delikate në rajon. Një muaj më parë u mblodhëm dhe nënshkruam një Deklaratë të Përbashkët, ku u dakortësuam që së bashku të punojmë në disa drejtime si pjesëmarrja e të rinjve në hartimin e politikave dhe në qeverisje, në çështjet e edukimit dhe punësimit të të rinjve, bashkëpunimin rajonal etj.’ – ai vijoi – ‘dhe ne si partnerë dhe të rinj kemi filluar tashmë me ngitjen e zërit për këto çështje rinore. Ne nuk na nevojitet Qeveria për të na mbështetur që ne të punojmë së bashku. Qeveria ofron politikat, por ne duhet të shkojmë një hap më tej duke i përmirësuar ato dhe mjetet e disponueshme për arritjen e objektivave tona.’

Z. Adnan Cerimagic nga European Stability Initiative deklaroi se ‘pavarësisht se trendi është i qartë që njerëzit po largohen nga rajoni dhe që ata do të vazhdojnë të largohen, fokusi duhet të vihet tek ata që qëndrojnë dhe cilësia e jetës që ata kanë.’ Cerimagic shtoi se ‘për të arritur një jetë më të mirë për ata që qëndrojnë, ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si mendojmë për politikat publike, miratimin dhe zbatimin e tyre. Këto nuk duhet të vendosen në një rreth të vogël njerëzish jashtë institucioneve. Politikat publike duhet të bazohen në të dhëna të besueshme dhe hulumtime të hollësishme, dhe duhet të vijnë si rezultat i konsultimit me të gjithë aktorët.’

Në vijim të diskutimeve me pjesëmarrësit mbi çfarë që po bën qeveria dhe atë që presin të rinjtë, moderatorja znj. Dafina Peci, drejtoresha ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar të Shqipërisë, përmbylli diskutimin duke thënë ‘diskutimi mbi rininë kërkon shumë aktorë dhe është një utopi mbledhja e të gjithëve në një dhomë ose në një tryezë, por kur diskutojmë për të rinjtë dhe si t’i bëjmë ata të qëndrojnë në vendin e tyre, duhet të evitojmë ndarjet midis të rinjve dhe politikëbërësve në vend dhe të përqendrohemi se si të bashkëpunojmë më mirë dhe të mos presim që çdo gjë të bëhet vetëm nga pala tjetër.’

Ky panel u organizua në bashkëpunim me fondacionin Hanns Seidel Foundation dhe Western Balkans Youth Cooperation Platform.