“Energjia: Bashkëpunimi Rajonal dhe Qeverisja e Mirë” – Paneli 3 i TCF 2018 | CDI
Home » “Energjia: Bashkëpunimi Rajonal dhe Qeverisja e Mirë” – Paneli 3 i TCF 2018

16 nëntor 2018

 

Paneli për Energjinë u përqendrua në bashkëpunimin rajonal në sektorin e energjisë, veçanërisht në hartimin e politikave rajonale për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë, si dhe në sfidat e zbatimit të projekteve të mëdha të Ballkanit Perëndimor. Paneli u moderua nga Z. Enio Civici, Drejtor i Scan TV në Shqipëri.

Z. Valdrin Lluka, Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Kosovë, përmendi investimet e fundit të Kosovës në prodhimin e energjisë dhe angazhimin e vendit ndaj plotësimit të objektivave të BE-së, për të siguruar që 25% e prodhimit të energjisë të jetë nga burime energjitike të rinovueshme. Për më tepër, ai deklaroi se qeveria kosovare do të kalojë 120MgW nga HEC në energji diellore. Ai tha se “Plani i ri i energjisë është shumë i rëndësishëm për Kosovën, për rajonin dhe veçanërisht për Shqipërinë, por sfida mbetet me linjën e transmetimit të ndërtuar rishtas midis dy vendeve që nuk ka funksionuar. Kjo shkakton një humbje prej 3 milion Euro në vit vetëm për Kosovën. Linja e tensionit të lartë, një investim i financuar nga Gjermania, nuk është përdorur për shkak të konfliktit të pazgjidhur me Serbinë që rrjedh nga marrëveshja e transmetimit e nënshkruar në vitin 2013. BE është sponsor i një tregu të përbashkët energjetik në rajon, por Kosova nuk e zbaton atë për shkak të kësaj çështjeje të pazgjidhur me Serbi”. Ministri nënvizoi se qeveria gjermane vepron si ndërmjetëse në këtë konflikt dhe se Shqipëria po ndihmon gjithashtu. Nëse flasim si një rajon, duke folur për një hapësirë ekonomike, ne duhet të bashkëpunojmë, të harrojmë të kaluarën dhe të përqëndrohemi në të ardhmen”.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dr Dirk Buschle, përmendi rëndësinë e zbatimit të projekteve. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë të njejtën ADN ligjore si BE, por ekziston një hendek i madh midis transpozimit dhe zbatimit: vetëm 43% të rregullave janë zbatuar. Procedura e zbatimit është shumë hibride: gjysma është ligjore dhe gjysma tjetër është politike. Duhet të shqyrtojmë mënyrat të ndryshme të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke përdorur ndërmjetësimin ose zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me ndihmën e një partneri të fortë të jashtëm si Gjermania. Ai deklaroi se “Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ndonjëherë nuk e shihni kufirin e vërtetë mes shteteve anëtare dhe shteteve joanëtare, por ka një trashëgimi të përbashkët, probleme të përbashkëta të vjetra dhe probleme të përbashkëta për të kapërcyer. Kjo është tipike për rajonin dhe rajoni duhet të dalë nga ky ‘mentalitet sektorial’ i projektuar gjatë komunizmit. Ky është tranzicioni i parë që vendet tona janë ende të angazhuara.” Dr. Buschle përmendi se “Ndryshimet klimaterike janë faza e dytë e tranzicionit energjetik. Ato kërkojnë instrumente të reja. Mënyra se si ne të gjithë bashkëpunojmë me njëri-tjetrin nuk do të funksionojë përmes mekanizmave të ballafaqimit, do të funksionojë nëpërmjet mekanizmave të bashkëpunimit, përmes moderimit, përmes vëzhgimit të problemeve që na ndikojnë të gjithëve së bashku. EnC do të miratojë Aktin e fundit të Energjisë së BE-së.

Z. Fabio Tambone, Drejtor dhe Shef i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Autoritetin Rregullator të Energjisë, Rrjeteve dhe Ambientit (ARERA) komentoi mbi bashkëpunimin rajonal: “Ne besojmë se integrimi i Ballkanit në tregun e energjisë elektrike është e ardhmja. Rrjeti i ndërlidhjes me Malin e Zi, i cili do të hapë një korridor të ri për rrjedhat e energjisë elektrike që vijnë nga vende të tjera, besojmë se do të hapë një treg të vërtetë në këtë vend. Duke filluar nga energjia, ne mund të ndërtojmë një rajon shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin euro-mesdhetar.”

 

Ai vuri theksin në institucione të forta dhe se si ARERA e mbështet këtë. Bashkëpunimi institucional në Energji bazohet në: i) miratimin e një kuadri rregullator të përbashkët; ii) qasjen tradicionale të ndërtimit të kapaciteteve; dhe iii) përdorimi i platformave multilaterale. Ai përfundoi duke inkurajuar autoritetet shqiptare për të rritur impaktin e TAP në Shqipëri duke ndërtuar një rrjet shpërndarjeje në vend, në mënyrë që të mund të fitojë më shumë se sa vetëm honoraret.
Diskutimi u pasua nga fjala e Prof. Matthias Dornfeldt nga Universiteti i Potsdamit i cili solli një perspektivë të sigurisë së energjisë dhe gjeopolitikës në politikëbërjen në rajon dhe në të gjithë Evropën. Ai deklaroi se “… që nga viti 2005, kemi Komunitetin e Evropës Juglindore të BE-së i cili ka tre pika kyçe: marrja e gazit shtesë dhe naftës përmes rajonit; Diversifikimi i importit të karburanteve fosile nga rajonet e tjera dhe bashkëpunimin në kuadër të komunitetit të energjisë elektrike që është pak a shumë i realizuar.” Duke komentuar mbi TAP, Prof. Dornfeldt deklaroi se përveç që është pjesërisht një projekt politik, “Korridori Jugor do të sjell gazin nga Azerbajxhani deri në vitin 2022. Gjithsej 10 miliardë metra kub, 1 miliardë qëndron në Greqi dhe Bullgari, dhe 9 miliardë kub që përfundojnë në pjesën tjetër të Evropës.” Ai vazhdoi duke përfunduar se “këtë herë pyetja është se kush është i gatshëm të investojë. Ne kemi diskutuar Ionian-Adriatic pipeline, por që ajo të realizohet për të sjellë gaz nga Shqipëria përmes Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës në Kroaci, ne kemi nevojë për vëllime shtesë të gazit dhe ne nuk i kemi ato. Nga 10 miliardë, 9 miliardë do të shkojnë në Itali.”