Evropa dhe Rruga e Mëndafshtë (Brezi dhe Rruga): zhvillimet dhe sfidat | CDI
Home » Evropa dhe Rruga e Mëndafshtë (Brezi dhe Rruga): zhvillimet dhe sfidat

10.07.2017

Brezi dhe Rruga, emri modern i Rrugës së Mëndafshit, është një iniciativë e prezantuar nga Kina. Ajo nis nga Kina dhe përfundon në Evropë, pasi ndahet në dy pjesë: një hekurudhë që përshkon gjithë Azinë dhe një linjë detare që fillon nga Kina dhe lidh Pakistanin, Indinë, Afrikën dhe përmes Kanalit të Suezit hyn në Mesdhe (stacioni kryesor është jo larg nga Shqipëria, në portin e Pireut).

Kjo iniciativë synon të promovojë konektivitetin dhe bashkëpunimin ekonomik mes Kinës dhe vendeve nga të cilat kalon. Për më tepër, Brezi dhe Rruga shtyn përpara koordinimin e politikave në sektorët që prek, rrit flukset financiare dhe mbi të gjitha, marrëdhëniet mes njerëzve.

Evropa është stacioni fundor i kësaj nisme, dhe si e tillë luan një rol strategjik. Për Kinën, BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar, burimi kryesor i investimeve të huaja në Kinë, një mbështetës kyç i ekonomisë kineze, dhe fokusi i iniciativës Brezi dhe Rruga. Kjo iniciativë synon të krijojë kushtet për një lidhje akoma më të fuqishme mes dy civilizimeve dhe dy tregjeve të mëdha siç janë Kina dhe BE-ja, si dhe të rrisë bashkëpunimin konkret mes dy partnerëve.

Libri që po postojmë sot, ka si autor Profesor Liu Zuokui, Drejtor i Sekretariatit të Rrjetit të Think Tank Kinë – Evropa Qendrore dhe Lindore, në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale. Ky është botimi më i fundit i prezantuar në Pekin më 30 Qershor 2017. Ai jep një pasqyrë shteruese dhe inovative të faktorëve teknikë dhe politikë, perceptimet e elitave evropiane mbi këtë iniciativë, prezanton sfidat dhe rreziqet, dhe përfundon me rekomandime mbi politikat e nevojshme për të maksimalizuar përfitimet e dyanshme nga Brezi dhe Rruga.

Së bashku me institucionet kërkimore nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe Ballkani Perëndimor, në këtë event ishte ftuar dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim. CDI moderoi panelin “Brezi dhe Rruga / Iniciativa 16+1: Rreziqet, Sfidat dhe Skenarët e Mundshëm”.

CDI mendon se Brezi dhe Rruga për nga qasja dhe impakti i pritur është një faktor i rëndësishëm që ndikon në konektivitetin mes vendeve të Ballkanit, si dhe mes Ballkanit dhe BE-së. Në këtë cilësi, dhe duke falenderuar Profesor Liu për lejen që na dha për të postuar këtë version, CDI u ofron të interesuarve dhe lexuesve shqiptarë, si dhe parnerëve në bashkëpunim rajonal, këtë analizë nga një prej specialistët kinezë të Iniciativës 16+1 dhe të BRI. Pak ditë para Samitit të Triestes, kjo analizë u ofron lexuesve qasjen e kolegëve hulumtues kinezë mbi bashkëpunimin rajonal, mbi konektivitetin, dhe mbi impaktin e tyre në rritjen ekonomike dhe prosperitetin e vendeve pjesëmarrëse.

“Europe and the “Belt and Road” Initiative: Responses and Risks”
Autori: Liu Zuokui, China – CEEC Think Tank Book Series, Ed. China Social Sciences Press, Beijing 2017.