Fokusi tek “Transporti: Kostot e rregullimit dhe sfidat e qeverisjes” në Eventin e parë të Tirana Connectivity Forum | CDI
Home » Fokusi tek “Transporti: Kostot e rregullimit dhe sfidat e qeverisjes” në Eventin e parë të Tirana Connectivity Forum

14 Nëntor 2018

Paneli i parë i TCF ’18 u përqëndrua në arsyet pse nevojiten rrugë dhe hekurudha më të mira në Ballkan, sfidat e qeverisjes që hasen gjatë zbatimit të tyre, rëndësinë e përfshirjes së interesit të qytetarëve në investimet ose nevojën për të investuar në mikro-konektiviteti. Moderatori i panelit, Dr. Florent Marciacq nga Austro-French Centre for Rapprochement in Europe dhe Centre International de Formation Europeenne hapi debatin duke thënë se rajoni ka qenë gjithmonë i rëndësishëm në lidhjen e Lindjes dhe Perëndimit që nga kohët e Perandorisë Romake dhe se fuqitë e mëdha kanë investuar gjithmonë në ndërlidhjen infrastrukturore të këtij rajoni.

Dr. Mario Holzner, Zëvendës Drejtor i Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës deklaroi se “investimi i përgjithshëm në Ballkanin Perëndimor është i lartë (~ 25% e PBB-së) dhe përfshin në masë të madhe investimet në ndërtim. Megjithatë, ai shtoi se ‘investimi në infrastrukturë është vetëm rreth 1% e PBB-së. Para shpërthimit të krizës financiare globale ai ishte rreth 2% e PBB-së dhe pas shpërthimit krizës ky investim u bë një nga viktimat e para të krizës.’ Ai vazhdoi duke përmbledhur disa konkluzione politikash, si “intensiteti i përfshirjes është i rëndësishëm; Evropa duhet të rrisë mbështetjen e saj në investimet në infrastrukturë dhe në përbërjen e fondeve; Kreditë e mëtejshme do të rrisin borxhin e këtyre ekonomive të dobëta; Fondet e infrastrukturës mund të përdoren si një mjet bisedimesh dhe shpërblimi për negociatat në pajtimin politik në rajon”.

Ndërsa Z. Eduard Shalsi, deputet i Parlamentit Shqiptar e vijoi diskutimin duke nënvizuar se “Shqipëria trashëgoi një sistem me mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe vendimmarrje në këtë sektor. Prandaj, – vazhdoi ai, – është e rëndësishme të ndërtojmë një sistem dhe një vizion para se të investojmë. Qeveria ka prioritizuar investimet bazuar në mësimet e nxjerra. Si të investojmë paratë dhe ku, më shumë se sa. Tani prioritizimi i investimeve fokusohet në fushat strategjike që kanë një potencial rritjeje, si ndërtimi i një aeroporti apo i rrugëve në jug të Shqipërisë” përfundoi Z. Shalsi.

Martin Henze, Kryetar i Komisionit të Transportit të Këshillit Ekonomik të CDU, theksoi nevojën për politika liberale dhe të qëndrueshme për të nxitur investimet në infrastrukturë. Z. Henze argumentoi se “BE-ja ka nevojë për një strategji ekonomike gjithëpërfshirëse, ku Ballkani do të zërë vendin e tij sa i përket modelit ekonomik dhe investimeve në infrastrukture”. Ai pastaj deklaroi se “ishte e habitshme që Shqipëria filloi të përdorë modelin PPP në investimet në infrastrukturë, pasi ai është evituar nga shtetet anëtare të BE-së si një mekanizëm jo produktiv “.

Akil Kraja, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, deklaroi se “Ballkani nuk është i lidhur mirë dhe duket si një geto brenda geto. Megjithatë, – vazhdoi ai, – qytetarët kërkojnë më shumë lidhje dhe më shumë rrugë.’

Së fundmi, Dr. Stephen Stork nga Delegacioni i BE në Tiranë shpjegoi se “BE ka bashkëpunuar në paketën e projekteve prioritare që financojnë projektet më të mira me vlerën më të mirë të shtuar për vendet e rajonit, pasi kjo është ajo ku nevojat plotësojnë kërkesën”. Ai vijoi duke thënë se “fondet e BE tani janë të orientuara drejt rezultateve dhe produkteve përfundimtare. Institucionet financiare ndërkombëtare dhe fondet private duhet të prodhojnë rezultate të matshme dhe të tregojnë se si përfitojnë qytetarët apo si kontribuojnë këto projekte në kohezionin dhe bashkëpunimin ndërkufitar.” Z. Stork gjithashtu theksoi se “sistemet kombëtare që përdoren për përgatitjen dhe zbatimin e këtyre projekteve duhet të harmonizohen me parimet e BE-së përsa i përket lejimit të konkurrencës në prokurimin publik, vlerën më të mirë për para, vlerësimin mjedisor, etj.”