Forumi i Shoqërisë Civile në Tiranë 26-28 Prill 2017 | CDI
Home » Forumi i Shoqërisë Civile në Tiranë 26-28 Prill 2017

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Fondin Europian për Ballkanin, Fondacionin ERSTE dhe Fondacionin Friedrich Ebert, organizuan Forumin e Shoqërisë Civile (FShC) në Ballkanin Perëndimor, i cili zhvilloi punimet në Tiranë, nga data 26 deri më 28 prill 2017.

Gjatë FShC-së në Tiranë u theksua rëndësia e procesit të zgjerimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6) në BE dhe u përgatitën rekomandimet drejtuar Samitit të Krerëve të Shtetevedhe Qeverive që do të mbahet më 12 korrik 2017 në Trieste, Itali.

Çështjet më të spikatura u diskutuan në formatin e sesioneve plenare, paneleve dhe workshopeve tematikë, duke u ndarë në katër grupe pune me fokus:

– Bashkëpunimin rinor në BP6
– Sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin
– Biznesin dhe potencialin e inovacionit në BP6: roli i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM)
– Çështjet dypalëshe

Pjesëmarrësit dhe panelistët ngritën shqetësimet e tyre dhe shkëmbyen pikëpamjet dhe opinionet mbi bashkëpunimin rajonal rinor dhe marrëdhëniet e mira mes fqinjëve, të konsideruara si faktorë kyç për të ardhmen e Ballkanit. Ndër të tjera u diskutua dhe prioriteti i BP6 për të forcuar sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit- një ndër kriteret kryesorë për anëtarësimin në BE. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të NVM-ve, përsa i përket promovimit të rritjes ekonomike dhe inkurajimit të sipërmarrësve të rinj në BP6.

Në këtë forum morën pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, anëtarë dhe përfaqësues nga think-tank, organizata të shoqërisë civile, institutet politikë, akademikë, hulumtues, media dhe organizatat bazë, si dhe nismat qytetare nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Zyrtarë dhe diplomatë të rangut të lartë ishin gjithashtu të ftuar për të dhënë kontributin e tyre në këtë forum: SHT Ditmir Bushati, Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, SHS Romana Vlahutin, Shefe e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Znj.Tanja Fajon, Europarlamentare dhe Zv. Presidente e S&D Group, Znj.Ulrike Lunacek, Europarlamentare dhe Zv. Presidente e Partisë Europiane ( Partia Jeshile/ EFA, Austri) përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, Z.Karl Giacinti nga Komisioni Europian/ Bashkëpunimi Rajonal për Ballkanin Perëndimor dhe Programeve për Shoqërinë Civile dhe Median, Z Eduard Shalsi, Ministër i Shtetit për Qeverinë Vendore dhe Koordinator Kombëtar për Anti-Korrupsionin, Z.Hannes Swoboda, President iInstitutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike (WIIW) dhe Anëtar i Bordit të Drejtorëve të organizatës CDRSEE, SHT Michele Giacomelli, i Dërguari Special nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë mbi Procesin e Berlinit, Znj.Milva Ekonomi, Ministre e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë, Djuro Blanusa, Sekretar i Përgjithshëm i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO), SHS Susanne Schütz, Ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri, SHT Alberto Cutillo, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, SHS Dewi van de Weerd, Ambasadore e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri etj.

Mbi konkluzionet e FShC-së mund të konsultoheni këtu.

Axhenda e FShC-së mund të konsultohet këtu.

Për më tepër informacion mbi Forumin e Shoqërisë Civile në Ballkanin Perëndimor mund të konsultoheni këtu.

Dokumentet me katër çështjet kryesore të FShC-së mund të konsultohen këtu.

Albumi i FShC-së, nga data 26 deri më 28 prill, mund të konsultohen këtu si dhe regjistrimet e forumit këtu.