“Kontributi i shoqërisë civile në progresin e demokracisë” | CDI
Home » “Kontributi i shoqërisë civile në progresin e demokracisë”

15.06.2017

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim organizoi në Tiranë më 15 qershor 2017 një “Breakfast Talk” me temën “Kontributi i shoqërisë civile në progresin e demokracisë”, në kuadër të projektit rajonal “Demokracia në progres”, mbështetur nga European Fund for the Balkans.
Ky takim shërbeu për të diskutuar mbi çështje kyçe të ecurisë në plotësimin e kritereve politike si: demokracia dhe performanca në proceset zgjedhore, funksionimi i legjislativit dhe ushtrimi i rolit mbikqyrës mbi sferën e veprimtarisë publike, transparenca e qeverisjes dhe mirë-qeverisja në përgjithësi, sfera e veprimtarisë së shoqërisë civile, ushtrimi i lirisë së shprehjes etj.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile, aktivë në fushat e kritereve politike (si demokracia, shteti i së drejtës, parlamenti, media etj). Z. Afrim Krasniqi, nga Instituti për Studime Politike, vuri në dukje se pika e dobët e demokracisë funksionale janë partitë politike dhe nëse partitë nuk janë funksionale, atëherë as sistemi nuk mund të jetë i tillë. Z. Krasniqi gjithashtu nënvizoi faktin se vetëm nëpërmjet transparencës së partive politike dhe dekriminalizimin e tyre, mund të arrihen reforma të suksesshme.
Z. Besmir Beja nga Lex Ferenda shprehu nevojën e kultivimit të një kulture të shoqërisë civile që angazhohet dhe lufton për kauzat e veta. Ky koncept do të na përgatisë që demokracinë të mos e presim të na e dhurojë BE, u shpreh ai.

Znj. Enkelejda Bregu, nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, theksoi se programet e BE-së në Shqipëri dhe rajon kanë si fokus kryesor përfshirjen e shoqërisë civile në të gjitha proceset demokratike, dhe se BE sapo ka shpallur disa thirrje drejtuar shoqërisë civile me qëllim angazhimin e saj në mbështetjen e dialogut politik në reformat kryesore. Ndërsa Znj. Elira Canga, nga Misioni i OSBE-së në Shqipëri, u ndal në rolin e fushave të veprimit të OSBE-së në mbështetjen e lirisë së medias (platformat e debatit, reformimi i RTSH-së, mbështetja e shoqërisë civile), si dhe angazhimin për zhvillimin e një media profesionale dhe të balancuar.

Ky takim gjithashtu shërbeu si një reflektim mbi sfidat e mëtejshme për një demokraci funksionale në Shqipëri.