Mbahet në Berlin Programi Trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21” | CDI
Home » Mbahet në Berlin Programi Trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21”

26.11.2017

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe partnerët e tij, Centre international de formation européenne (CIFE), Association Bourgogne Balkans Express, Environnment Sciences Po, me mbështetjen e Zyrës Franko-Gjermane për Rininë (OFAJ/DFJW), organizuan në Berlin, në datat 25 Nëntor – 1 Dhjetor 2017, fazën e parë të programit për shkëmbimi trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21”.

Ky shkëmbim mblodhi së bashku 24 pjesëmarrës nga të treja vendet partnere Shqipëria, Gjermania dhe Franca, të cilët janë të angazhuar në fushën e mjedisit dhe energjisë, vullnetarizmit dhe aktivizimit qytetar.

Programi nuk mund të mos fillonte pa prezantimin e profilit akademik dhe aktivitetit profesional të pjesëmarrësve, si dhe pritshmëritë e tyre. Tre grupe pune u formuan mbi çështjet përkatëse “Energjia”, “Ambjenti” dhe “Dimensioni Evropian”, ku u diskutuan tematikat në lidhje me ndërkulturalizmin, menaxhimin rinovues të mbetjeve, energjinë, zgjerimin e Bashkimit Evropian, ekologjinë dhe qëndrueshmërinë. Vizitat në terren dhe takimet e ndryshme shërbyen për të ilustruar anën praktike të këtij programi. Në Parlamentin Gjerman (Bundestag) pjesëmarrësit patën mundësinë për t’u takuar me Dr. Franziska Bratner (anëtare e parlamentit), e cila paraqiti një panoramë të problematikave ekologjike, ekonomike dhe sociale në Gjermani; në Umweltbundesamt (Agjencia Gjermane e Mjedisit), Dr. Joachim Wuttke prezantoi misionin dhe detyrat e kësaj agjencie përsa i përket detektimit të rreziqeve dhe kërcënimeve mjedisore, si dhe gjetjen e zgjidhjeve të duhura për t’i parandaluar ato në kohë; në Ministrinë Federale për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë, Z. Helge Tolksdorf theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor drejt rrugëtimit të tyre në Bashkimin Evropian, arritjet dhe objektivat e mëtejshme; ndërsa në Heinrich Böll Stiftung, Znj. Stafanie Groll shpjegoi vizionin dhe projektet e këtij fondacioni në lidhje me ekologjinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Përveç hartimit të një studimi, që do të paraqitet në fazën përmbyllëse në Tiranë, në 2018, secili nga grupet e punës do të vazhdojë të koordinojë dhe të përgatisë hulumtimet në kuadër të fazës së dytë të këtij programi, që do të mbahet në datat 25 Shkurt – 03 Mars 2018 në Dizhon (Francë).

Të gjithë pjesëmarrësit pohuan se ky shkëmbim tirlateral ishte mjaft i dobishëm për të njohur dhe trajtuar më tej tematikat e mësipërme. Fryma pozitive e këtij bashkëpunimi rinor u pasurua më tej përmes miqësisë dhe kontakteve që ata krijuan me moshatarët e tyre nga Franca dhe Gjermania.

Programin e workshopit të zhvilluar në Berlin mund ta lexoni këtu.

Fotografitë nga aktivitetet e ndryshme të programit mund t’i shikoni këtu.

Intervistat me disa nga pjesëmarrësit mund t’i gjeni këtu.