Mbahet në Dizhon faza e dytë e programit trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21” | CDI
Home » Mbahet në Dizhon faza e dytë e programit trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21”

26.02.2018

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Centre International de Formation Européenne (CIFE), Environnment Sciences Po, Association Bourgogne Balkans Express, me mbështetjen e Zyrës Franko-Gjermane për Rininë (OFAJ/DFJW), organizuan në Dizhon, Francë, fazën e dytë të trajnimit trilateral “Ide dhe Aksione për Evropën: Energjia dhe Mjedisi në Shekullin e 21”.

Tema kryesore e këtij trajnimi u përqendrua tek “Qytetet e Gjelbra”. Programi u pasurua më tej me vizitat në terren në ​ “Keolis Dijon Mobility (KDM)” ku u shtjelluan çështjet kryesore të transportit në qytetet moderne dhe “ZeroWaste Dijon Programme”, një nga iniciativat për riciklimin e mbetjeve shtëpiake në Dizhon. Në kuadër të çështjeve të trajtuara në këtë program, u mbajtën prezantime të ndryshme nga Prof. Arnold Van der Valk (Wageningen University) mbi përshtatjen dhe përdorimin e duhur të hapësirave të mjedisit me nevojat fizike të shoqërisë; Prof. Vera Danilina (Aix -Marseille School of Economics) argumentoi hartimin dhe krijimin e politikave mjedisore dhe promovimin e markave ekologjike; Frank Morawietz (OFAJ/DFJW) nënvizoi rëndësinë e një Traktati të Ri të Elizesë midis Francës dhe Gjermanisë, si një shembull bashkëpunimi dhe pajtimi ndërmjet këtyre dy vendeve; Charlotte Halpern (Sciences Po) theksoi objektivat për një zhvillim të qëndrueshëm urbanistik dhe modernizim ekologjik duke respektuar dhe forcuar resurset ekzistuese natyrore, si dhe planifikimin e parqeve, lumenjve, argjinaturave etj.

24 pjesëmarrësit vazhduan punën e tyre kërkimore mbi tre tematikat e përzgjedhura në fazën e parë në Berlin (25 nëntor-1 dhjetor 2017) me fokus mjedisin, energjinë dhe dimensionin evropian. Faza përmbyllëse e trajnimit do të mbahet në Tiranë, Shqipëri, nga data 28 maj deri më 1 qershor 2018, ku do të paraqiten dhe rezultatet e dokumentit të përbashkët të punës gjatë një konference të posaçme.

Axhenda e trajnimit në Dizhon mund të konsultohet këtu.

Fotografitë nga aktivitetet e ndryshme në Dizhon mund t’i shikoni këtu.