“Ndërlidhja e të rinjve si faktor shtytës i zhvillimit në Ballkanin Perëndimor”. | CDI
Home » “Ndërlidhja e të rinjve si faktor shtytës i zhvillimit në Ballkanin Perëndimor”.

9 Nëntor 2017

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në partneritet me Fondacionin Hanns Seidel, organizuan më 9 nëntor 2017, aktivitetin me temë “Ndërlidhja e të rinjve si faktor shtytës i zhvillimit në Ballkanin Perëndimor”.

Ky event u organizua në kuadër të Konferencës së Tretë të Tiranës mbi Procesin e Berlinit. Aktiviteti u përshëndet nga Dr. Milena Harito, Koordinatorja e Qeverisë Shqiptare për Zonën Ekonomike Rajonale. Në fjalën e saj, Znj. Harito theksoi rëndësinë e ndërlidhjes rajonale dhe bashkëpunimit në nivelin politik dhe rinor, të cilat u iniciuan me Procesin e Berlinit. Bashkëpunimi rajonal është një mjet i rëndësishëm që bashkon të rinjtë, rrit zhvillimin e tyre personal dhe hyrjen në tregun e punës.

Në vazhdim, Alida Vracic dhe Matteo Bonomi nga Think Tank-u Populari, prezantuan studimin e tyre: “The rise of the underdog? Economy of the Western Balkans”. Në përfundimet e tyre, autorët sugjeruan se ka një hendek mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe njohurive mbi ekonominë. Studimi argumenton se të rinjtë nuk arrijnë dot të marrin informacionin e duhur ekonomik, ta kuptojnë atë apo të kontribojnë në politikbërjen ekonomike të vendeve të tyre. Ky kërkim shkencor kontribon në nxitjen e debatit mbi zhvillimin socio-ekonomik të rajonit dhe nevojën për një thjeshtim të informacionit ekonomik për publikun.

Më fund, Drejtoresha Ekzekutive e CDI Krisela Hackaj, si dhe Milica Skiljevic dhe Dafina Peci respektivisht nga Kongreset Rinore Kombëtare të Serbisë dhe Shqipërisë, prezantuan platformën unike Western Balkans Youth Cooperation Platform (WBYPC). WBYPC është një platformë që mundëson organizatat rinore, grupimet informale të të rinjve apo individët që të regjistrohen, të gjejnë organizata partnere, të sugjerojnë projekt-ide, të marrin informacion mbi thirrje pëlidhur me Ballkanin Perëndimor dhe të rinjtë, apo të njoftohen për projekt-ide të sugjeruara nga pjesëmarrësit e platformës. Ne fund u kryen ilustrime konkrete mbi funksionalitetin e platformës dhe të rinjtë u inkurajuan që të sugjeronin se si platforma mund tu shërbente sa më mire nevojave në rritje për shkëmbime rinore me të rinjtë nga rajoni.