Ndërlidhja në Ballkanin Perëndimor në fokus të Konferencës “Kohezioni ekonomik dhe social në Ballkanin Perëndimor” | CDI
Home » Ndërlidhja në Ballkanin Perëndimor në fokus të Konferencës “Kohezioni ekonomik dhe social në Ballkanin Perëndimor”

16 Maj 2018

Në kuadër të Presidencës Bullgare të Këshillit Evropian, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian në bashkëpunim me TAIEX, organizoi në dt. 15 Maj Konferencën “Kohezioni ekonomik dhe social në Ballkanin Perëndimor“. Objektivi kryesor i konferencës ishte përgatitja e rekomandimeve nga palët ekonomike dhe sociale, si dhe organizatat e shoqërise civile nga Ballkani Perëndimor (BP) dhe prezantimi i tyre krerëve të shteteve të BE përpara samitit që do të mbahet në Sofie në dt. 17 Maj.

Konferenca u përshëndet nga Zv. Kryeministrja Bullgare Ekaterina Zaharieva, e cila nënvizoi tre vlerat kryesore që qytetarët e BE kanë zgjedhur kur u pyetën mbi vlerat kryesore të BE: një Evropë solidare, e sigurt dhe sociale. Këto vlera duhet të udhëheqin edhe reformat në Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se reformat e ndërmarra nga vendet e BP në kuadër të procesit të zgjerimit duhet të kryhen për qytetarët e këtyre vendeve. Ajo gjithashtu konfirmoi mbështetjen e Bullgarisë në perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.

Përfaqësuesit e EESC konfirmuan qëndrimin e tyre në mbështetje të rrugëtimit evropian të BP, mbështetje e deklaruar gjithashtu në opinionin e tyre “Kohezioni ekonomik dhe social dhe integrimi evropian në Ballkanin Perëndimor – sfida dhe prioritete” të aprovuar në muajin Prill 2018. Roli i palëve ekonomike dhe sociale është shumë i rëndësishëm në lehtësimin dhe mbështetjen e reformave të ndërmarra në vendet e rajonit.

E ftuar në panelin “Ndërlidhja në Ballkanin Perëndimor” Drejtoresha e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Krisela Hackaj, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e studimit “Procesi i Berlinit 2014-2018”. Ajo theksoi midis të tjerave rëndësinë e përforcimit dhe konsolidimit të qeverisjes së ndërlidhjes, nevojën për një bashkëpunim rajonal mes niveleve teknike të administratave publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe nevojën për një vëmendje më të madhe gjatë planifikimit të projekteve të ndërlidhjes ndaj komuniteteve lokale, mikro-ndërlidhjes dhe kapitalit njerëzor dhe infrastrukturës sociale.

Konkluzionet e Konferencës mund të konsultohen këtu. Ndërsa për një informacion më të thelluar mbi punën e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian mund të klikoni ketu.