Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta dhe Ambasadori i BE në Tiranë Z. Luigi Soreca përshëndetin TCF’18. | CDI
Home » Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta dhe Ambasadori i BE në Tiranë Z. Luigi Soreca përshëndetin TCF’18.

26 Nëntor 2018

Dita e dytë e Tirana Connectivity Forum 2018 nisi me një fjalim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta. Ai nisi fjalimin e tij duke deklaruar se Procesi i Berlinit ka lehtësuar një ndërlidhje dhe ndërveprim më efikas midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Axhendës së Zgjerimit të Bashkimit Europian. Ai tha se ‘Samitet e Berlinit, Vjenës, Parisit, Triestes dhe Londrës janë dëshmi domethënëse e kësaj vëmendjeje. Gjeografia e këtyre Samiteve flet qartë për angazhimin dhe interesin e aktorëve të mëdhenj të Bashkimit Europian, që bartin dhe një histori të përfshirjes së tyre strategjike në Ballkan.’

Si një shembull i mirë i rezultateve të Procesit të Berlinit ai përmendi vëmendjen e përkushtuar ndaj rinisë, duke filluar nisma serioze që lidhen me njohjen më të afërt dhe pajtimin rajonal, arsimin profesional, programet e shkëmbimit arsimor, e kështu me radhë. Por ai deklaroi se ka shumë më tepër nevojë për të bërë për të rritur mundësitë e punësimit dhe sidomos për të ndaluar ikjen e trurit që po prek masivisht vendet tona.

Ai e mbylli fjalimin duke thënë se beson se ‘Shqipëria dhe Maqedonia i kanë të gjitha mundësitë t’i çelin negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm, dhe se duhet të përqëndrojmë akoma edhe më mirë të gjithë energjitë në zbatimin e reformave kyçe. Po ashtu besoj, se me ruajtjen e fokusit mbi objektivat strategjike dhe mbi axhendat e reformave, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i ka të gjitha mundësitë të avancojë më shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.’ – ai vijoi – ‘Të frymëzohemi nga filozofia e më të rinjve që kanë lindur në epokën e paqes që duan ‘gjithçka dhe tani’ por të mbetemi edhe realistë e me këmbë në tokë se ky vrapim kërkon shumë punë dhe vetëm bashkëpunim të dobishëm.’ 

Luigi Soreca, Ambasadori i BE në Shqipëri, nisi fjalimin e tij duke deklaruar se viti 2018 ka qenë një vit i rëndësishëm për Axhendën e Konektivitetit në Evropën Juglindore dhe Strategjia e Komisionit për Ballkanin Perëndimor thekson rëndësinë e lidhjes dhe bashkëpunimit në rajon për integrimin e rajonit. Ai theksoi rëndësinë e investimeve në transport dhe infrastrukturë dhe nevojën e plotësimit të saj me politika rajonale, institucionale dhe rregullatore që hapin tregjet, krijojnë një kornizë transparente rregullative, ndërtojnë besimin e investitorëve dhe heqin pengesat në mënyrë që të ketë lidhje në rajon.

Ai deklaroi se “Komisioni Evropian vlerëson se rreth 80,000 vende të reja pune mund të krijohen në të gjithë rajonin nëse ekonomitë përkatëse janë më të integruara. Për energjinë, ashtu si për transportin, duhet operuar sipas rrugullave te BE duke bërë ndarjen e shërbimeve publike dhe lejimin e aksesit së palëve të treta është një element thelbësor i agjendës së konektivitetit.’ – ai vijoi –‘Së pari, protokolli shtesë i CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë i miratuar në prill është një hap i qartë drejt eliminimit të barrierave tregtare në rajon; Së dyti, një Axhendë Rajonale për Reformën në Investimeve u miratua për të harmonizuar politikat e investimeve në praktikat më të mira ndërkombëtare; dhe Së treti, është bërë progres në heqjen e pengesave për mobilitetin e studiuesve dhe njohjen e diplomave.’

Ai përfundoi fjalën e tij duke thënë se ‘Rinia mishëron gjithçka që agjenda jonë e ndërlidhjes është: ajo jo vetëm lidh infrastrukturën dhe ekonomitë, por lidh njerëzit, nxit pajtimin dhe lehtëson mobilitetin’.