Prezantimi i studimit “Monitorimi i Procesit të Berlinit: nga Parisi në Trieste” në Konferencën mbi Vlerësimin Përmbledhës përpara Samitit të Triestes | CDI
Home » Prezantimi i studimit “Monitorimi i Procesit të Berlinit: nga Parisi në Trieste” në Konferencën mbi Vlerësimin Përmbledhës përpara Samitit të Triestes

11.04.2017

Forumi për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe Fondacioni Friedrich Ebert (FES – Beograd) organizuan në Beograd më 11 prill 2017, Konferencën mbi Vlerësimin Përmbledhës përpara Samitit të Triestes për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6).

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) u ftua të paraqiste rezultatet e studimit “Monitorimi i Procesit të Berlinit: nga Parisi në Trieste”, kryer nga CDI me mbështetjen e partnerëve të tij – Fondacioni Friedrich Ebert (FES), Fondacioni Konrad Adenuaer (KAS) dhe Fondacioni Hanns Seidel (HSS).

Përfaqësuesi i CDI, Z. Ardian Hackaj, theksoi kontributin e këtij publikimi në debatin aktual mbi formën dhe dinamikën e procesit të integrimit evropian dhe pasojat për Ballkanin Perëndimor.

“Monitorimi i Procesit të Berlinit: nga Parisi në Trieste ” ka për qëllim të vlerësojë arritjet e deritanishme në Evropën post-Brexit, rolin e shoqërisë civile në BP6, konektivitetin mes sipërmarrjeve në rajon dhe atyre në BE nëpërmjet “zinxhirit të vlerës” si dhe sfidat e presidencës italiane për Samitin e ardhshëm të Triestes, që do të mbahet më 12 korrik 2017. Ky studim gjithashtu ndalet edhe në analizën e nismave të ngjashme në fushën e konektivitetit dhe kohezionit territorial si p.sh: makro-rajonet territoriale të BE-së dhe iniciativa kineze “Nisma 16+1”.

Ekspertët vendas dhe të huaj, si dhe pjesëmarrësit në konferencë, theksuan rëndësinë e procesit të Berlinit për forcimin e bashkëpunimit rajonal, dialogut politik dhe fqinjësisë së mirë.