Prezantohen gjetjet e studimit “Bashkëpunimi Ndër-Institucional në Fushën e Politikave kundër Korrupsionit” | CDI
Home » Prezantohen gjetjet e studimit “Bashkëpunimi Ndër-Institucional në Fushën e Politikave kundër Korrupsionit”

18 Dhjetor 2017

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim organizoi ditën e premte, data 15.12.2017,  tryezën e rrumbullakët me temë “Bashkëpunimi Ndër-Institucional në Fushën e Politikave kundër Korrupsionit”. Qëllimi i tryezës ishte prezantimi i gjetjeve paraprake të studimit mbi situatën e bashkëpunimit ndër-institucional në Shqipëri në fushën e politikave anti-korrupsion dhe diskutimi mbi efikasitetin e instrumentave në dispozicion të bashkëpunimit.

Ky studim analizon dy instrumenta specifike që rregullojnë bashkëpunimin ndër-institucional: i) Strategjinë Ndër-Sektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020 dhe ii) Memorandumet e Bashkëpunimit/Mirëkuptimit midis institucioneve kryesore të angazhuara në parandalimin apo ndëshkimin e korrupsionit.

Autoret e hulumtimit, Znj. Krisela Hackaj dhe Znj. Ardita Shehaj, prezantuan gjetjet e analizës së hollësishme të 72 Memorandumeve të lidhura nga 7 institucionet kryesore që gjenden në fokus të këtij hulumtimi si Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Tatimeve, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Nga ky hulumtim rezulton se 54% e Memorandumeve të Bashkëpunimit (MeB) rregullojnë marrdhëniet mes Qeverisë dhe Institucioneve të pavarura / kushtetuese. Pas 2010 ka pasur një rritje eksponenciale të përdorimit të MeB, ku 75%, sipas analizës së autoreve, janë lidhur pas këtij viti. Pjesa dërrmuese e tyre ka si qëllim kryesor lehtësimin e shkëmbimit të informacionit dhe aksesit në informacion. Nga hulumtimi rezulton se institucionet nuk kanë një inventar të memorandumeve dhe ato nuk raportojnë sipas detyrimeve të MeB zbatimin dhe detyrat që u lindin palëve. Memorandumet konsiderohen si një informacion publik, por në shumicën e rasteve ato nuk publikohen në faqet zyrtare të institucioneve. Nga intervista me përfaqësues të disa prej institucioneve (ato kërkuan të qëndronin në kushtet e anonimatit) mund të nxirret një konkluzion paraprak mbi MeB. Memorandumet bëhen mjete të rëndësishme kur mundësojnë aksesin e institucioneve në databaza shtetërore. Por në shumicën e rasteve kur ato thjesht synojnë lehtësimin e shkëmbimit të informacionit, ajo që rezulton është se mungon një ndjekje e rregullt e detyrave që lindin për palët nga këto Memorandume.

Znj. Eralda Cani, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë së Tiranës dhe ish zv. Ministre e Integrimit Evropian, parashtroi rëndësinë e bashkëpunimit ndër-institucional në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe përmbushjes së detyrave që lindin nga Udhërrëfyesi mbi 5 Prioritetet e KE. Ajo gjithashtu theksoi se një vlerësim i impaktit të MeB duhet bërë për të parë nevojën e një ri-përshtatjeje të strukturës së memorandumeve, sidomos atyre që nënshkruhen nga aparati i administratës publike.

Znj. Lorena Pullumbi, eksperte në fushën e anti-korrupsionit dhe ish-drejtore pranë Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit theksoi se memorandumet shërbejnë ndër të tjerat për të ndërtuar besimin midis institucioneve bashkëpunuese. Në kuadër të Strategjisë Ndër-sektoriale kundër Korrupsionit ajo nënvizoi rëndësinë e rishikimit të Planit të Veprimit të Strategjisë, për t’ju përgjigjur nevojave të kontekstit të ri dhe duke fuqizuar sa më shume objektivat me karakter ndëshkimor.

Analiza e plotë, e cila pritet të dalë në Janar 2018, synon të ngrejë vëmendjen mbi efikasitetin e përdorimit të këtij instrumenti, nevojën për rritjen e transparencës së veprimtarisë publike së institucioneve të përfshira në luftën kundër korrupsionit, konsolidimin e mëtejshëm të kuadrit planifikues dhe monitorues strategjik, si dhe rëndësinë e mbështetjes së monitorimeve dhe vlerësimeve nga ana e shoqërise civile.

Tryeza u përshëndet gjithashtu nga Znj. Nertila Mosko, drejtore e Fondacionit Hanns Seidel në Tiranë, i cili mbështeti këtë hulumtim.

Mund të konsultoni axhendën e aktivitetit këtu.

Gjetjet paraprake të hulumtimit mund të konsultohen këtu.