Procesi i Berlinit dhe të Rinjtë | CDI
Home » Procesi i Berlinit dhe të Rinjtë

15.03.2018

Forumi “Qytetarë të fuqishëm, komunitete të fuqizuara”, u mbajt dje pranë EU Info Center në Tiranë, dhe mblodhi të rinj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Italia, Bullgari​a, Rumania dhe Greqia. Alba Brojka, hulumtuese shkencore pranë Institutit për Bashkpunim dhe Zhvillim, u ftua nga organizatorët e këtij forumi për të folur mbi sukseset dhe sfidat e Procesit të Berlinit. Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të prezantohen me përfundimet e raportit më të fundit të Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim “Procesi i​ Berlinit 2014-2018”.

Forumi u organizua nga organizata ​Pro-Youth, në kuadër të Programit Erasmus+, dhe kishte për qëllim diskutimin me të rinjtë mbi perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor pas prezantimit të Strategjisë së Komisionit Evropian për rajonin. Të rinjtë diskutuan mbi sukseset e Procesit të Berlinit si një nxitës i axhendës së konektivitetit në infrastrukturë, energji dhe ndërlidhjes mes njerëzve. Panelistët e tjerë folën mbi Strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor në 2018, rolin e Presidencës Bullgare dhe rolin e Brexit. Në vijim, bashkë​punimi rajonal u theksua edhe më tej si një mjet i fuqishëm për zgjidhjen e konflikteve bilaterale dhe përmirësimin e perspektivës për anëtarësim të rajonit.

Pjesmarrësit e Forumit janë një grup të rinjsh që po ndjekin një trajnim intensiv mbi pjesëmarrjen në demokraci në nivel rajonal dhe Evropian, në kuadër të Programeve Erasmus+.