Procesi i Berlinit: forcimi i ndërlidhjes dhe bashkëpunimit rajonal” | CDI
Home » Procesi i Berlinit: forcimi i ndërlidhjes dhe bashkëpunimit rajonal”

5 Shkurt 2020

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim – CDI organizoi më 5 Shkurt 2020, tryezën e rrumbullakët me temë “Procesi i Berlinit: forcimi i ndërlidhjes dhe bashkëpunimit rajonal”. Kjo tryezë u mbajt në kuadër të projektit “Përgatitja dhe Mbështetja e Shqipërisë në Procesin e Anëtarësimit në BE”, që po zbatohet nga CDI dhe që mbështetet nga Ambasada Hollandeze në Tiranë.

Fokusi i këtij eventi ishte analiza e impaktit në Shqipëri i Procesit të Berlinit, me vëmendje mbi progresin e projekteve të ndërlidhshmërisë në transport dhe sektorin dixhital. CDI prezantoi dhe metodologjinë e saj inovative që ndërlidh impaktin e infrastrukturës në territor me rritjen ekonomike dhe mbështetjen nëpërmjet zinxhirit të vlerës. Prezantimet ofruan të dhëna të përditësuara mbi financimin dhe zbatimin e projekteve në Shqipëri, evidentuan progresin edhe sfidat gjatë zbatimit projekteve të vendit në fushat e ndërlidhshmërisë në ekonomi, infrastrukturë, dixhitalizim dhe ai ndërmjet njerëzve, si dhe ofruan propozime për të rritur eficiencën e investimeve në Axhendën e Ndërlidhshmërisë.

Tryeza e rrumbullakët u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Ardian Hackaj, i cili vuri theksin tek fakti që Shqiperia është vendi i parë ku shoqeria civile monitoron progresin e Procesit te Berlinit dhe investimeve të Axhendës së Ndërlidhshmërisë. Z. Hackaj vuri në dukje peshën strategjike të projekteve të ndërlidhshmërisë (rreth EUR 4,5 bn) krahasuar me IPA II: rreth EUR 6bn). Në këtë këndvështrim, roli i tyre në formësimin e territorit, me mbështetjen e rritjes ekonomike dhe në procesin e konvergjencës me BE, është sistemik.

Z. Thimjo Plaku, Drejtor i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Transportit dhe Infrastrukturës në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë pasqyroi ecurinë e axhendës së ndërlidhjes së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në transport duke vënë theksin mbi ekzistencën e një mbështetjeje politike të rëndësishme, që shoqëroi procesin ndër vite. Më pas Z. Plaku prezantoi progresin e Shqipërisë në kuadër të kësaj axhende, projektet kryesore në transportin rrugor, hekurudhor, detar dhe ajror, gjithashtu dhe masat e planit të reformave të ndërlidhshmërisë.

Zj. Irena Malolli, Drejtore e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Telekomunikacionit dhe Postave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ofroi një panoramë të statusit të Shqipërisë në sektorin dixhital. Zj. Malolli vuri në pah një rol shumë aktiv të Shqiperise në projektet e WBIF të rrjeteve dixhitale, dhe përgatitjet për Samitin Dixhital në Prill 2020, ku e rëndësishme është të ketë gjithëpërfshirje të aktorëve të sektorit.

Ekspertja e CDI dhe gazetarja ekonomike, Znj. Ornela Liperi, prezantoi projektet prioritare të Shqipërisë në aspektin e leverdisshmërisë ekonomike dhe në nje qasje krahasuese të vendit tonë në raport me shtetet fqinje të Ballkanit. Prezantimi u mbështet me harta mbi gjurmet e projekteve të mbivendosura me strukturën prodhuese të zonave ku ato kalojnë, dhe me grafike krahasimore. Në pjesën e dytë të analizës fokusi u vu tek projekti “Korridori Adriatiko-Jonian”, i cili është i një rëndësie strategjike për ndërlidhjen rajonale dhe europiane. Rasti i këtij investimi evidentoi rëndësinë e ndërlidhjes së projekteve me strukturën e territorit dhe peshën e tyre në ekonominë e zonës ku zbatohet.

Në fund, Z. Matteo Bonomi, studiues pranë Istituto Affari Internazionali në Romë, Itali, u shpreh se BE duhet të rigjallërojë politikën e zgjerimit. Lidhur me Metodologjinë e Re të Zgjerimit, pohoi se përmirësimet nuk duhet të jenë kozmetike, vetëm të karakterit socio-ekonomik, por edhe strategjike në rajon ku më e rëndësishme është rritja e fondeve mbështetës për vendet e rajonit.

Në diskutimet përmbyllëse të pranishmit ndanë gjithashtu opinionet e tyre lidhur me elementet themelorë që duhen konsideruar në përcaktimin e prioriteteve strategjike të përkthyera në zbatimin e projekteve. Investimet mbështeten në objektiva standarde dhe në mënyrë që ato të përmbushen plotësisht, duhet të paraprihen nga analiza të sakta kosto-përfitim, t’i përgjigjen nivelit ekonomik për të mos u cënuar nga kufizimet buxhetore. Ekspertët e pranishëm konkluduan se Shqipëria ndodhet në fazën e maturimit të projekteve, arsye kjo që ka ulur masën e përfitimit të financimeve të huaja. Mungesa e investimit substancial, cikli shumë i gjatë i jetës së projekteve, aspektet fiskale të ekonomisë, përdorimi i shumtë i PPP, huatë financiare u evidentuan si shkaqe që ndikojnë në eficiencën e projekteve.

Ndërhyrje mjaft të vlefshme u bënë edhe nga përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, i cili pohoi se analiza e çështjeve të axhendës së ndërlidhshmërisë është relative dhe se vlerësimi i prioriteve ndryshon sipas etapave zhvillimore në të cilat ndodhet vendi, ku planifikimi dhe rishikimi i masave reformuese bëhet në mënyrë graduale.

Agjenda e tryezës mund të konsultohet këtu.

Më shumë fotografi nga aktiviteti mund të shikohen këtu.