Promovimi i studimit rajonal: “Një vlerësim krahasues i organizatave rinore në Ballkanin Perëndimor” | CDI
Home » Promovimi i studimit rajonal: “Një vlerësim krahasues i organizatave rinore në Ballkanin Perëndimor”

14563569_339403703072586_6809510010860459766_n

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me European Movement in Montenegro dhe European Movement Novi Sad, si dhe me Shërbimin Kombëtar të Rinisë, dhe me mbështetjen e Fondit Europian për Ballkanin (EFB), organizuan në Tiranë më 14 tetor, workshop-in “Një vlerësim krahasues i organizatave rinore në Ballkanin Perëndimor”- prezantimi i profilit të organizatave rinore shqiptare.

Ky workshop prezantoi rezultatet e projektit “Përforcimi i Lidhjes Rajonale Rinore” që pasqyron profilin e organizatave rinore në të tre vendet partnere, Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të organizatave rinore kombëtare dhe rajonale, OSHC-ve, institucioneve kombëtare shqiptare dhe Medias. Znj. Merita Xhafaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave Sociale në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional me organizatat rinore dhe OSHC-ve në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë e këtij studimi për Zyrën Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO), në mënyrë që ajo të adresojë nevojat dhe mangesitë e identifikuara të organizatave rinore në Shqipëri përmes aktiviteteve të ardhshme të saj. Znj. Dafina Peci, Sekretare e Përgjithshme e Kongresit Rinor Kombëtar, u ndal në rolin e RYCO-s në lidhje me përmirësimin e procesit të bashkëpunimit rinor dhe komunikimit në Ballkanin Perëndimor, me qëllim për të nxitur pajtimin dhe ndërtimin e vlerave të paqes. Z. Kreshnik Loka nga Shërbimi Kombëtar Rinor, vuri në dukje vlerat frymëzuese të RYCO-s në lidhje me shkëmbimet rinore dhe proceset e pajtimit në Ballkanin Perëndimor.

193 organizata rinore, duke përfshirë edhe lëvizjet rinore, organizatat ombrellë, OSHC-të me fokus rininë, etj, nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë kontribuar në kryerjen e një vlerësimi krahasues të karakteristikave të profilit të organizatave rinore, aktiviteteve të tyre, nevojat dhe kufizimet, si dhe pritshmëritë për zyrën e ardhshme të RYCO-s që së shpejti do të ngrihet në Tiranë.

Ky kërkim jep rekomandime konkrete për politikë-bërësit dhe organizatat rinore. Gjetjet specifike të vendeve partnere janë paraqitur për Shipërinë nga Znj. Krisela Haçkaj, lidere e ekipit të kërkimit rajonal, Znj. Ivana Boskoviç për Malin e Zi dhe Z. Milisav Milinkoviç, Serbi.

Znj.Hackaj theksoi nevojën urgjente për regjistrimin e të dhënave identifikuese të aktiviteteve rinore në Shqipëri. Kjo do të lejonte ndërtimin e politikave rinore të bazuara dhe monitorimin e duhur të kuadrit strategjik. Sigurimi i mbështetjes intensive për iniciativat rinore në zonat rurale dhe jashtë kryeqytetit është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm në procesin e ekuilibruar të zhvillimit social në vend. Po kështu, lëvizjet që lindin nëpër shkolla, universitete apo mjedise të tjera mësimore, dhe aktivitetet vullnetare duhen inkurajuar.

Për një informacion më të detajuar mbi gjetjet dhe rekomandimet, mund të lexoni studimin këtu. Gjithashtu mund të konsultoheni edhe me infografikën që ilustron karakteristikat kryesore krahasuese të organizatave rinore të rajonit.