“Siguri e Qëndrueshme: Roli i Rinisë në Bashkimin e Ndarjes”- Forumi Rinor Strategjik i Bledit | CDI
Home » “Siguri e Qëndrueshme: Roli i Rinisë në Bashkimin e Ndarjes”- Forumi Rinor Strategjik i Bledit

27.09.2018

Platforma e Bashkëpunimit Rinor të Ballkanit Perëndimor (WBYCP) ishte një ndër partnerët në organizimin e Forumit Rinor Strategjik të Bledit i cili u organizua në Lubjanë më 7-10 shtator. WBYCP ka mundësuar dhe lehtësuar “Sesionin e Natës për Ballkanin Perëndimor” më datë 8 shtator, ku të rinjtë, përfaqësues nga institucionet publike, akademikë, si dhe organizatat kombëtare dhe globale trajtuan në mënyrë kritike çështjet rajonale si: (i) pajtimi; (ii) siguria në rajon; (iii) roli i NATO-s; (iv) zhvillimi ekonomik; (v) emigracioni i të rinjve; dhe (vi) pjesëmarrja e të rinjve në jetën publike në Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrësit u prezantuan fillimisht me WBYCP nga Drejtoresha Ekzekutive e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, znj. Krisela Hackaj. Ajo i informoi të rinjtë mbi misionin e platformës, iniciativat e fundit si Konkursi i Eseve 2018 “Tre arsye për të qëndruar në vendin tim” dhe mbi rëndësinë e qasjes nga poshtë lart që aplikohet nga platforma për të arritur ndikimin sistematik që ne duam në shoqëri. Përveç kësaj, pjesëmarrësit u informuan mbi Forumin Rinor që do të organizohet në tetor në Tiranë, si dhe me planin për hartimin e një Deklarate Rinore të Përbashkët nga të rinjte e Ballkanit Perëndimor.

Pas prezantimit të platformës, të gjithë pjesëmarrësit u ndanë në 4 grupe për të diskutuar katër tema të ndryshme dhe për të dalë me propozime dhe rekomandime që u prezantuan në panelin “Ballkani Perëndimor: Vite të Humbura apo Shpresa e Re?” në Forumin Strategjik të Bledit më 12 shtator.

Lidhur me cështjen Pajtimin u diskutua roli i sistemit arsimor në inkurajimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor për të bashkëpunuar. U theksua rëndësia e ndërtimit të partneriteteve midis institucioneve arsimore për të krijuar mundësi për bashkëpunim. Është përmendur gjithashtu roli i mediave në proceset e pajtimit dhe nevoja për të rritur mesazhet pozitive që hidhen në media.

Për rolin e NATO-s dhe të sigurisë në rajon, grupi i të rinjve doli me çështjet kryesore që duhet adresuar dhe zgjidhur, përkatësisht zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe midis vendeve të BP; Reduktimi i ndërhyrjes së aktorëve të tretë në rajon; Ngritja e kapaciteteve të institucioneve për të rritur sigurinë e qeverisjes dhe sundimin e ligjit.

Për pjesëmarrjen e të rinjve në jetën publike në Ballkanin Perëndimor, u ra dakord që qasja nga poshtë lartë është qasja më e mirë për të siguruar që problematikat dhe zgjidhjet që vijnë nga baza të adresohen tek aktorët përgjegjës. Është theksuar nevoja për të krijuar, fuqizuar dhe promovuar strukturat kombëtare dhe rajonale në mënyrë që të rritjet pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje.

Grupi i cili diskutoi “Zhvillimin Ekonomik” theksoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve dhe investimit në burimet njerëzore si formë e sigurtë për të patur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Përveç kësaj, u prezantua ideja e krijimit të kushteve ekonomike dhe fiskale për të punuar si një treg i vetëm në mënyrë që të tërhiqen më shumë investitorë të huaj në rajon.