Takim përgatitor i Forumit të Shoqërisë Civile përpara Samitit të Londrës | CDI
Home » Takim përgatitor i Forumit të Shoqërisë Civile përpara Samitit të Londrës

02/05/2018

Më 26 dhe 27 prill në Vjenë u zhvilluan takimet përgatitore për Samitin e Ballkanit Perëndimor – Londër 2018 me përfaqësues nga think tank dhe aktivistë të organizatave nga Ballkani Perëndimor. Samiti i pestë i Ballkanit Perëndimor nën Iniciativën e Procesit të Berlinit do të zhvillohet në Londër më 9-10 korrik 2018.

Më 26 prill, Koordinatori i Samitit për Mbretërinë e Bashkuar përshëndeti dhe priti pesë grupe tematike pune, të fokusuara mbi Çështjet Gjinore, Sigurinë, Stabilitetin Ekonomik, Politikën / Ligjin, Rininë dhe Shoqërinë Civile. Grupet diskutuan mbi d​okumentet përkatëse të përgatitura nga Forumi i Shoqërisë Civile dhe më pas ​hartuan rekomandimet drejtuar Presidencës së Samitit të ardhshëm.

Më 27 prill, u zhvillua një reflektim i përbashkët mbi të ardhmen e Procesit të Berlinit dhe pritshmëritë nga Shoqëria Civile e rajonit përsa i përket kontributit të saj. Mbi pesëdhjetë përfaqësues të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor u mblodhën dhe diskutuan mbi rolin dhe limitet e bashkëpunimit rajonal, pengesat/nxitjet për bashkëpunimin rajonal dhe si shoqëria civile mund të luajë rolin e saj dhe të japë një kontribut të rëndësishëm. Janë bërë disa reflektime të cilat nisin me nevojën për t’u përqëndruar në pak çështje; përgatitjen dhe publikimin e treguesve të mirë përcaktuar; promovimin e shembujve konkretë të kontributeve pozitive të shoqërisë ​civile; rritjen e ndërveprimit me nivelin​ teknik të administratës publike dhe me ​strukturat rajonale; sigurimin e një procesi konsultimi më gjithëpërfshirës dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Rekomandimet përfundimtare do të publikohen së shpejti.