Tavolinë e rrumbullakët “Njohja me Fenomenin e Migrimit të Shqiptarëve në Gjermani: 2014-2016” | CDI
Home » Tavolinë e rrumbullakët “Njohja me Fenomenin e Migrimit të Shqiptarëve në Gjermani: 2014-2016”

15589521_373151716364451_5302340509141987575_n

16.12.2016

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Fondacionin Hanns Seidel organizuan ditën e premte, 16 dhjetor 2016, tavolinën e rrumbullakët “Njohja me Fenomenin e Migrimit të Shqiptarëve në Gjermani: 2014-2016”.

 Autorët e këtij studimi, me po të njëjtin titull, prezantuan gjetjet kryesore të kërkimit, i cili na mundëson informimin mbi fluksin migrator të shtetasve shqiptarë në Gjermani gjatë viteve 2014-2016, faktorët tërheqës dhe shtytës që ndikuan mbi vendimin për të migruar, si dhe profilet dhe perspektivat e personave të kthyer.

Bashkëautorja e këtij studimi, Prof. Esmeralda Shehaj nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike, Univers​i​teti i Tiranës,​analizoi faktorët kyç që provokuan fluksin migrator të shtetasve shqiptarë në Gjermani dhe paraqiti të dhënat kryesore në lidhje me këtë fenomen p.sh. 53,805 shqiptarë plotësuan aplikimin për azil në Gjermani në 2015! Vetëm 55 vendime pozitive nga 23,000 vendime finale në lidhje me mbrojtjen e azilantit u morën nga autoritetet gjermane në 2015! Vetëm 10 kërkesa të paraqitura për azil u miratuan nga 34,000 të tilla nga muaji janar deri në muajin tetor të 2016.

Bashkëautori tjetër i studimit, Z. Neshat Zeneli, Drejtor i Shërbimit të Punësimit në Shërbimin Kombëtar të Punësimit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, theksoi nevojën e shpërndarjes së informacionit mbi migrimin e ligjshëm për të shmangur ikjet në mënyrë të jashtëligjshme. Z. Saimir Boshnjaku nga Drejtoria e Pëgjithshme e Kufirit dhe Migrimit, Policia e Shtetit, nënvizoi rolin e rëndësishëm që luan Policia e Shtetit në procesin e ri ​-​ atdhesimit të minorenëve shqiptarë të pashoqëruar nga shtetet e tjera dhe masat që janë ndërmarrë për menaxhimin e riatdhesimit të migrantëve në përgjithësi. Ndërsa, i riu Akil Varfi, ndau eksperiencën e tij si një ish-azilkërkues i kthyer nga Gjermania dhe shpjegoi arsyet kryesore që e kishin shtyrë atë dhe familjen e tij të largoheshin nga Shqipëria.

Kërkimi i udhëhequr nga Instituti për Bashkëpunim dheZhvillim, u zhvillua nga muaji prill deri në muajin tetor 2016 dhe përfshi​u dokumentimin, monitorimin e medias, intervistat e detajuara dhe vizitat në terren.

Ky aktivitet mblodhi bashkë ekspertë nga autoritet kombëtare, akademikë,  kërkues, shtetas shqiptarë nga fluksi migrator 2014-2016 të kthyer, përfaqësues nga shoqëritë civile dhe palët e interesuara.

 Analiza e plotë e studimit do të publikohet së shpejti në portalin website të CDI-së www.cdinstitute.eu dhe  www.shtetiweb.org

Një përmbledhje e gjetjeve kryesore mund të lexohet këtu.