Thirrje e hapur për hulumtues të rinj | CDI
Home » Thirrje e hapur për hulumtues të rinj

29.07.2017

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) hap Thirrjen për Hulumtues të rinj, të cilët kanë dëshirë të angazhohen në përgatitjen e tre hulumtimeve të fokusuara në fushat tematike:

1. Migrimi, kthimi dhe re-integrimi i të rinjve;
2. Bashkëpunimi rinor rajonal;
3. Bashkëpunimi Ekonomik Rajonal: flukset e shkëmbimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe të Vendeve të Treta.

Për çdo hulumtim do të përzgjidhet një hulumtues, i/e cili/a do të angazhohet për një periudhë dy mujore pranë Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Termat e angazhimit do të përcaktohen mes CDI dhe hulumtuesve të përzgjedhur. Kjo nismë vjen në kuadër të programeve të CDI mbi migrimin, bashkëpunimin rinor dhe bashkëpunimin ekonomik rajonal, dhe analizave kërkimore që Instituti kryen rregullisht në këto fusha dhe kontrinbutit qe jep në politikë-bërjen të bazuar në fakte. Publikimet tona mund t’i konsultoni në faqen e internetit: www.cdinstitute.eu .

Qëllimi i kësaj nisme është të afrojë të rinjtë studentë apo ata të sapo-diplomuar me qasjen kërkimore dhe analitike të aplikueshme në shkrimin e analizave të aktualitetit ekonomiko-social në Shqipëri. Hulumtimi përfundimtar do të marrë formën e një shkrimi prej maksimumi 10 faqesh dhe jo më pak se 5 faqe në gjuhën shqipe. Angazhimi do të ketë edhe një shpërblim financiar.

Mund të bëhen pjesë e kësaj nisme të rinjtë në moshën 20-26 vjeç të cilët mund të kenë studiuar apo kanë mbaruar studimet në fushat si: Drejtësi, Shkenca Sociale, Ekonomi, Shkenca Politike, e të tjera të ngjashme.

Mund të shprehni interesin tuaj për t’u bërë pjesë e kësaj nisme nëpërmjet dërgimit të:
1. CV tuaj (në gjuhën shqipe ose angleze);
2. Një abstrakt mbi tematikën e përzgjedhur për hulumtim (250-400 fjalë) (në gjuhën shqipe);
3. Një listë referencash bibliografike qe ju keni identifikuar (jo më pak se pesë);
4. Një punim tuajin të ngjashëm – tema nuk ka rëndësi.

Kanë përparësi hulumtuesit të cilët janë të familiarizuar (kanë pervojë) në trajtim të dhënash statistikore/ekonometrike.

Mirëpresim aplikimet tuaja në adresën e-mailit tonë: info@cdinstitute.eu , brenda datës 30 Gusht 2017, ora 17:00.