Tryezë e rrumbullakët “Partneriteti në Negociatat për anëtarësim: aktorët, strukturat, detyrat, kalendari” | CDI
Home » Tryezë e rrumbullakët “Partneriteti në Negociatat për anëtarësim: aktorët, strukturat, detyrat, kalendari”

whatsapp-image-2016-11-21-at-11-43-50-9

21.11.2016
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim / Shtetiweb në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert organizuan sot në Tiranë një tryezë të rrumbullakët mbi “Partneritetin në Negociatat për anëtarësim: aktorët, strukturat, detyrat, kalendari” me anëtarë të shoqërisë civile, biznesit, jetës akademike dhe ekspertë në fushën e integrimit europian. Të ftuar në këte tryezë për të ndarë eksperiencën e tyre në vendet përkatëse ishin Drejtuesja e Ekipit Negociator për anëtarësimin e Republikën e Serbisë në Bashkimin Europian, Prof. Dr. Tanja Miščević dhe Sekretari i Shtetit për Integrimin Europian dhe Kryenegaciatori i Malit të Zi, SHT Aleksandar Andrija Pejović. Nga Shqipëria, anëtare e panelit ishte kryetarja e Komitetit Kombëtar për Integrimin Europian Znj. Majlinda Bregu.

Të dy kryenegociatoret theksuan rëndësinë e vizionit strategjik konsensual për negociatat, të një dokumenti udhërrëfyes për çeljen e negociatave dhe rolin kyç që shoqëria civile duhet të luajë si një urë midis ekipeve negociatore dhe qytetarëve. Pavarësisht dy modeleve të ndryshme të përfshirjes së shoqërisë civile në grupet e punës, të dy theksuan rëndësinë e kuptimit dhe të mbështetjes së procesit të anëtarësimit nga e gjithë shoqëria. Prof. Dr. Miščević theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së njësive të qeverisjes vendore në procesin e negociatave, me qëllim lehtësimin e zbatimit të politikave rajonale që vijojnë pas anëtarësimit. Qasja në informacion u vlerësua gjithashtu të jetë një faktor shumë i rëndësishëm për të gjitha palët e përfshira në proces, pavarësisht modelit që strukturat negociuese do të kenë në Shqipëri.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi nevojën e një procesi gjithëpërfshirës së negociatave dhe rëndësisë së fazës përgatitore për institucionet e përfshira. Ata vlerësuan pozitivisht shkëmbimin e eksperiencave konkrete për kapituj të caktuar midis palëve të interesuara, dhe u angazhuan për të vazhduar ketë bashkëpunim shumë shpejt me aksione konkrete.

Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar organizuan më pas një bashkëbisedim midis studenteve nga Universitetit Luarasi dhe nga Universiteti i Tiranës, dhe Sekretarit të Shtetit për Integrimin Europian dhe Kryenegacioatorit të Malit të Zi, SHT Aleksandar Andrija Pejović mbi “Kapitullin 26: Arsimi dhe Kultura”.
Z. Pejović paraqiti një pasqyrë komplete të negociatave për anëtarësim të ilustruar me momentet kryesore të negociatave të Malit të Zi në lidhje me kapitullin 26, i cili është edhe kapitulli që prek në mënyrë direkte rininë. Debati me studentët u fokusua rreth kontributit të organizatave rinore, të përfitimeve të pritshme për studentët nga hapja e negociatave, dhe nga detyrimet që i lindin vendit nga anëtarësimi.