31 Maj 2019
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim – CDI organizoi më 31 Maj 2019,tryezën e rrumbullakët “Sfidat dhe mundësitë për rritjen e angazhimit të të rinjve në procesin e integrimit në BE në Shqipëri.”Ky aktivitet kishte për qëllim të ofronte një kontribut të dobishëm në diskutimet e vazhdueshme mbi shkallën dhe efektivitetin e përfshirjes së shoqërisë civile dhe rinisë shqiptarenë reformat e brendshme dhe hartimin e politikave.
Znj. Mimoza Halimi, Drejtoreshë e Përgjithshme për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme, theksoi nevojën për hartimin e politikave rinore gjithëpërfshirëse që synojnë të rrisin përgatitjen e tyre në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Znj. Enkelejda Kokthi, drejtuese e CFCU në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë prezantoi projektet aktuale kryesore të IPA-s në zbatim nga organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri.
Me pjesëmarrjen e Kryenegociatores Serbe për Anëtarësimin e Republikës së Serbisë në BE Prof. Dr. Tanja Miščević, pjesëmarrësit mundën të mësojnë nga përvoja e Serbisë në procesin e negociatave për antarësim, në veçanti në kapitujt përkatës ku shoqëria civile – dhe Rinia në veçanti – kanë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Më tej, Prof. Dr. Miščević theksoi se decentralizimi i politikës rinore në Serbi është një arritje e madhe dhe mund të shërbejë si një shembull i mirë për vendet e tjera në rajon.
Ndër të tjera, Znj. Odeta Barbullushi, Koordinatore Kombëtare për Zonën Ekonomike Rajonale, nënvizoi nevojën për zhvillimin e një strategjie kombëtare që adreson nevojën urgjente për investimin në aftësitë dixhitale të të rinjve me anë të një buxheti të mirëfilltë i cili është i nevojshëm për të siguruar implementimin e kësaj strategjie.
Gjatë tryezës së rrumbullakët, u prezantuan rezultatet e para që rezultojnë nga konsultimet lokale të organizuara nga ekipi i projektit CONNECT me OSHC-të dhe grupet tjera të interesit nga qytetet e Korçës, Vlorës dhe Shkodrës. Tryeza u organizua në kuadër të projektit të financuar nga IPA “Zbatimi i qasjes sektoriale për kontributin e shoqërisë civile në integrimin e Shqipërisë në BE – CONNECT”, zbatuar nga Instituti për bashkëpunim dhe Zhvillim në partneritet me Fondacionin Friedrich Ebert (Tiranë) dhe Qendra Savremene Politike / European Western Balkans (Beograd).
Agjenda e tryezës mund të konsultohet këtu. Më shumë fotografi nga aktiviteti mund të shihen këtu.