Fjala e Drejtoreshës Ekzekutive të CDI në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian

Training Needs Assessment and Skills Gaps at Albanian Railways
November 18, 2026

Tiranë, 26 nëntor 2026 |

E nderuar Komisionere Kos,
Të nderuar Anëtarë të KKIE,
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim mbështet aktivisht integrimin evropian të Shqipërisë dhe bashkëpunimin rajonal, me fokus të veçantë te Konektiviteti dhe mjetet financiare në dispozicion të zgjerimit, përfshirë këtu Facilitetin për Reforma dhe Rritje, të cilin e monitorojmë që nga viti 2024.
Objektivi i anëtarësimit në BE mbetet leva kryesore për reformimin e institucioneve tona. Besojmë se politika e zgjerimit jep rezultate kur perspektiva e anëtarësimit është mjaftueshëm e besueshme për të formësuar vullnetin politik që kërkojnë reformat. Megjithatë, ritmi me të cilin shoqëria dhe grupet e interesit i përvetësojnë dhe zbatojnë reformat e integrimit evropian duhet të ecë në hap me ritmin e negociatave.
Mobilizimet qytetare e 2026 janë një kujtesë se progresi nuk mund të matet vetëm me ligjet e miratuara, piketat e përmbushura apo numrin e kapitujve të hapur apo përkohësisht të mbyllur. Pritshmëritë e shoqërisë për mënyrën se si funksionojnë institucionet, si merren vendimet dhe se si pushteti i nënshtrohet llogaridhënies janë rritur.

Qytetarët presin që procesi i anëtarësimit në BE të konsolidojë standardet e mirë-qeverisjes dhe të llogaridhënies që ata i asocojnë me objektivin e anëtarësimit.
Në këtë drejtim, duke u mbështetur në kontributin tonë dhjetëvjeçar në këtë Këshill, vlerësojmë se progresi në grupkapitullin e Themeloreve duhet të matet edhe me tregues objektivë performance mbi funksionimin efektiv të Parlamentit, mbikëqyrjen parlamentare ndaj ekzekutivit dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe biznesin.
Duke marrë parasysh ecurinë e shpejtë të negociatave të anëtarësimit, nevojat aktuale për informim dhe angazhim të grupeve të interesit, si dhe detyrat e qarta që IBAR-i/Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme përcakton për Shqipërinë, ne propozuam në Komitetin e 2-të të Monitorimit të Planit të Rritjes në Qershor, tre masa të reja për Agjendën e Reformave 2.0, tani në proces përgatitjeje. Këto rekomandime, të cilat dëshirojmë ti ndajmë edhe në këtë Këshill, synojnë ti japin GJITHËPËRFSHIRJES parashikueshmeri, financim dhe zbatueshmeri operacionale:
1. Një masë financiare e dedikuar për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe të bashkëpunimit me grupet e interesit, duke mobilizuar një spektër sa me te gjerë ekspertize gjatë periudhës së përgatitjes për anëtarësim.
2. Një masë financiare e dedikuar për të mbështetur angazhimin e shoqërisë civile në konsultim, monitorim dhe komunikimin e kostove dhe te përfitimeve të anëtarësimit në BE. Kjo kërkesë mbështetet gjithashtu nga Komiteti i Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri.
3. Një masë financiare e dedikuar për biznesin shqiptar, që synon ngushtimin e hendekut mes reformave ligjore dhe nivelit të informimit e të përgatitjes së NVM-ve për qasje në Tregun e Përbashkët. Kjo është shumë e rëndësishme sidomos për përgatitjen për dialogun mbi integrimin gradual në fillim të 2027 që pritet të identifikojë mundësi të reja qasjeje në Tregun e Përbashkët.
Shpresojmë që Qeveria dhe Komisioni Evropian të veprojnë mbi rekomandimet tona. Ju faleminderit për vëmendjen.
Gallery